Trajneri i Teutës, Edi Martini u shfaq optimist në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Kukësin, e vlefshme për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Martini do ta ketë të gjithë grupin të gatshëm me përjashtim të sulmuesit Gruda, për sfidën me Kukësin, që do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Niko Dovana” në orën 16:00.
BARAZIMI ME KASTRIOTIN – “Në ndeshjen me Kastriotin kemi nxjerrë mësimet e duhura. Ishte një ndeshje që duhet ta kishim fituar me patjetër, ndoshta e “fituam” pak para kohe. Ky takim duhet të na bëjë të reflektojmë dhe të korrigjojmë gabimet e bëra”.
NDESHJA ME KUKËSIN – “Kukësi është ekip mjaft i mirë, por po të na krahasosh ne me ata, jemi më lart. Në dy ndeshje me verilindorët, kemi barazuar një këtë sezon dhe kemi fituar një herë në fushën e tyre. Kemi qenë superiorë dhe na kanë barazuar në fund”.
KUPA PRIORITET – “Skuadra është në fromë, djemtë janë mirë, përveç Grudës që nuk do jetë pjesë e ekipit, të tjerët janë gati. Këtë sezon kemi objektiv Kupën dhe kampionatin. Deri tani jemi në rrugën e duhur pavarësisht barazimit të fundit. Edhe në Kupë kemi ecuri të mirë, duam gjysmëfinalen sepse është në objektivat tona. Kemi bërë një grup që të përballojë edhe Kupën, edhe kampionatin, kështu që nuk i ndaj Kupën apo kampionatin, megjithëse po të lija njërën për tjetrën do doja kampionatin”.
GARA PËR TITULL – “Jemi ekip që bëjmë lojën tonë dhe nuk presim asnjë veprim tjetër jashtë fushës. Ndeshjeve po i vjen fundi, ka nisur numërimi mbrapsht dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. Partizani është rival direkt, por më parë kemi ndeshjen e nesërme”. /kfteuta/
Leave us a reply