Teuta sfidon Partizanin në stadiumin “Elbasan Arena”, në kuadër të javës së 25 të Kategorisë Superiore. Në konferencën për shtyp, trajneri Edi Martini deklaroi se është një ndeshje e rëndësishme, por jo përcaktuese për titullin kampion. Gjithashtu ai analizoi edhe mungesën e golit dhe rezultateve në javët e fundit.
PARTIZANI – “Shpresojmë të fitojmë. Preferoj të luaj keq si me Kukësin dhe Partizani të luajë mirë si me Laçin dhe në fund të fitojmë ne. Ekipet poshtë në klasifikim u kanë marrë pikë edhe ekipeve pretendente, Kastrioti ka ndalur edhe Laçin e Partizanin. Edhe Bylisi u ka marrë pikë në Ballsh të tjerëve. Nuk është se ne me ta barazuam në Durrës, ku do ishte shumë hap fals”.
MUNGESA E GOLAVE – “Unë insistoj që sulmi, mbrojtja dhe mesfusha janë një. Sulmohet dhe mbrohet me çdo lojtarë. Kanë detyrë të shënojë të gjithë. Janë edhe goditjet standarde, janë edhe mesfushorët në lojë. Me rëndësi është të fitojë ekipi dhe ata që luajnë në sulm të punojnë për ekipin në të dyja fazat”.
MOBILIZIMI ME EKIPET E VOGLA – “Me Kastriotin bëmë një hap fals, e nënvlerësuam kundërshtarin dhe menduam për Kupën dhe ndeshjet e tjera të kampionatit me rivalët kryesorë. Nuk ka ekipe të dobëta e të forta, diferencat janë të vogla dhe duhet përqendrim. Tri pikët të çojnë përpara, pavarësisht kundërshtarit”.
KRASNIQI SHËRBEHET PAK – “Ky është këndvështrimi juaj. Kemi pasur raste plot dhe nuk i kemi shfrytëzuar. Ne kemi shpërdoruar pafund, edhe të fundit e të parafundit. Ekipi mbron i gjithi dhe sulmon i gjithi. E rëndësishme është të dalim para porte, më pas është edhe çështje fati”. /KFTEUTA/
Leave us a reply