Teuta mposhti 2-0 Apoloninë në Fier dhe udhëheq e vetme Kategorinë Superiore pas javës së 27. Me nga një gol për çdo pjesë, me protagonist Lorenco Vilën dhe Dejvi Bregun, bregdetarët u kthyen me tri pikë në Durrës.
Trajneri Edi Martini u shfaq i lumtur për fitoren e arritur në stadiumin “Loni Papuçi”, ndërsa deklaroi në “Gol Pas Goli” se gara për titull do të jetë e ashpër, edhe pse insiston se Teuta është në rrugën e mbarë.
TRIUMFI NË FIER – “Është meritë e jona më tepër sesa loja e dobët e Apolonisë. Duke parë pjesën e parë që ata bënë me Tiranën, ishim të shqetësuar. Ato që bëmë në fushë, treguan se nuk e diskutuam asnjëherë fitoren. Kemi në mesjavë ndeshjen e Kupës dhe ky rezultat më kënaq”.
RIVALËT PËR TITULL – “Unë nuk shoh ekipet që vijnë pas. Kam ekipin tim dhe nuk më intereson çfarë bëhet pas shpinës sime. Puna që bëjmë në stërvitje është e rëndësishme, kemi qetësi edhe kur luajmë keq ose humbasim topa. Entuziasmi dhe autoriteti sot, bënë që ky grup fitues të marrë komplimeta”.
3 PIKË NË KAMPIONAT APO KUPA ME SKËNDERBEUN? – “Duam t’i fitojmë të dyja, jemi në garë për titull dhe me këtë ide jemi futur në fushë. I duam të dyja ndeshjet, pavarësisht se e dimë se janë të forta. Kam 20 lojtarë gati”.
TITULLI – “Partizani, Laçi dhe Vllaznia janë rivalë të fortë, të jemi të kujdesshëm dhe mos të kalojmë në eufori. Në Shkodër mallkojmë “të hyptë vetja në qejf”. Djemtë kanë një karakter për t’u admiruar dhe japin shpirtin në fushë”. /KFTEUTA/
Leave us a reply