Teuta u eliminua nga Kupa e Shqipërisë pas disfatës që pësoi në stadiumin “Niko Dovana” 0-2 nga Skënderbeu, që avancon në finale ku do të përballet me Vllaznin.
Trajneri Edi Martini duke analizuar paraqitjen e bregdetarëve në “Super Sport”, u shpreh se arbitri Enea Jorgji, me vendimet e tij ndikoi në rezultatin final.
Gjithashtu ai theksoi se nuk do të donte më që Jorgji të jetë arbitër në takimet që Teuta do të luajë në ndeshjen e ardhshme.
PENALLTIA NË MINUTËN E 1’ – “Nuk dua të justifikohem, por u dënuam që në fillim nga një penallti, e cila për mendimin tim, ishte e njëjtë me atë që kemi pësuar vjet në Shkodër nga i njëjti arbitër. Ishim shumë nervozë dhe kjo mendojmë se ishte arsyeja e kësaj humbjeje. Shpresoj që ndeshjen tjetër në kampionat të mos kemi Jorgjin arbitër dhe të mos jemi nervoz siç ishim sot”.
MUNGESA E GOLIT – “Do e shikojmë ndeshjen me qetësi. Çdo ndeshje që kemi bërë keq, na ka dhënë një mësim të mirë. Tani duhet të shikojmë përpara. Në pjesën e dytë filluam të luanim 2-4-4, pasi mbrojtësit e krahëve i kemi të mirë në sulm. Kur humb qetësia mendoj se nuk ke më as qartësi përpara portës. Ishte nervozizëm pas penalltisë në fillim dhe kartonëve të verdhë. Bërryli karshi Krasniqit ishte më i egër sesa penalltia që iu dha Skënderbeut”.
MUNGESA E GOLIT – “Ne provuam me çdo mënyrë për të shënuar, por kundërshtari u mbrojt me forca të shumta. Ne e kontrolluam topin dhe insistuam, por nuk ishim të qartë. Nervozizmi ndikoi në këtë humbje, nga e cila duhet të mësojmë”.
TITULLI – “Në kampionat kemi bërë mirë, por duhet të përmirësohemi. I kërkova futbollistëve ta harrojmë këtë paraqitje dhe të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës”. /KFTEUTA/
Leave us a reply