Teuta ka humbur veten në tre ndeshjet e fundit duke arritur të marrë vetëm një fitore.
Më tepër se disfata e pësuar nga Tirana, që fitoi 0-1 në “Niko Dovana”, apo edhe Skënderbeu në Kupë, ajo që ka lënë pakënaqësi është loja dhe performanca e skuadrës.
Për të mos humbur kontakt me kreun, kërkohet reagim në ndeshjen ndaj Kukësit dhe në fakt në skuadër ka mobilimizim për të marrë tri pikët.
Diferenca me vendin e parë që mbahet nga Vllaznia dhe Partizani, është vetëm një pikë, por tani bregdetarëve nuk u lejohen më gabime.
Për të qëndruar në korsinë e shpejtësisë, futbollistët dhe trajneri Edi Martini duhet të ndryshojnë marsh.
Kukësi është një rival që ka dalë para kohe nga gara, por në “Elbasan Arena”, pritet një ndeshje me shumë rivalitet.
Në 5 ndeshjet e fundit statistikat flasin për “Djemtë e Detit”, me 3 fitore dhe dy barazime.
Lajmi i mirë për stafin teknik është rikthimi i sulmuesit të krahut Lorenco Vila.
22-vjeçari mungoi ndaj Tiranës, pasi kishte plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Mosprezenca e tij u ndje shumë kundër bardhebluve, por tani stafi teknik do të llogarisë shërbimet e Vilës, autor i 7 golave në Kategorinë Superiore. /KFTEUTA/
Leave us a reply