No image

Teuta U19 ka zhvilluar një sezon fantastik në Kategorinë SuperioreGrupin B, duke u shpallur ekipi kampion, me diferencë nga rivalët.

Por “Djemtë e Detit”, nuk duan të ndalen këtu, në fazën çerekfinale ekipi i drejtuar nga Xhevahir Kapllani, do të përballet me Tiranën U19.

Trajneri durrsak u shfaq optimist në prag të ndeshjes gjatë intervistës së dhënë për faqen e klubit kfteuta.com.

Duke vlerësuar kundërshtarin, ndër të tjera Kapllani theksoi se skuadra është përgatitur mjaft mirë dhe ëndërron finalen për të marrë pjesë në kompeticionin magjik për të rinjë, UEFA Youth Champions League.

Të inspiruar nga Teuta e madhe që kryeson Superioren, 19-vjeçarët e ndiejnë vetën gati dhe premtojnë një prezantim dinjitoz në play off.

Në seancën stërvitore të së martës, trajneri dha këshillat e fundit për çerekfinalen me Tiranën U19, që do të zhvillohet të mërkurën në orën 10:00 në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

“Do të bëjmë një performancë dinjitoze, jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje. Skuadra gëzon një gjende të mirë, paraqitjet që kemi bërë në kampionat më japin shpresë se do të arrijmë rezultat pozitiv”, tha Kapllani.

Si është situata prag Tiranës, a je i kënaqur me formën e skuadrës?

Ka shumë entuziazëm, ka dëshirë, djemtë janë të motivuar shumë për këtë ndeshje. Është puna e gjithë vitit dhe duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të nxjerrim në pah cilësitë tona. Kemi pasur një ecuri më shumë se pozitive. Nga ndeshja e parë deri tek e fundit skuadra ka treguar stabilitet, një element tepër i rëndësishëm në futboll.

A e ëndërron Teuta dhe Kapllani pjesëmarrjen në UEFA Youth League?

Për momentin kjo fazë është shumë larg, ne duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Finalja e parë është nesër me Tiranën. Jo vetëm unë dhe ekipi, por e gjithë familja e madhe e Teutës ëndërron që ne të marrim pjesë në Champions. Por tani nuk është momenti të ëndërrojmë, por të luftojmë në fushë dhe të fitojmë.

Sa e njeh kundërshtarin, i ke studiuar bardheblutë?

Kam informacion të përgjithshëm. Tirana ka një skuadër kompetitive, me lojtarë cilësorë. Do të jetë një ndeshje e bukur mes dy rivalësh që kanë pretendimet e veta.

Çfarë të ka befasuar nga ekipi yt gjatë këtij sezoni?

Serioziteti në stërvitje dhe harmonia. Fryma e grupit është sekreti ynë. Gjithashtu dua të theksoj se skuadra nuk ka qenë kurrë e varur nga një individ.

Gjatë kësaj periudhe keni patur kontakt me drejtuesit?

Klubi na ka qëndruar gjithmonë afër, kemi patur përkrahje nga drejtuesit. Janë të kënaqur me punën që kemi bërë, por unë e di se kemi akoma edhe shumë për të dhënë.

Kush lojtar ju ka befasuar nga U19, a do t’i bashkohet ndonjë prej tyre Teutës së madhe?

Nuk dua të përmend emra, por ka lojtarë shumë premtues dhe që jam i bindur se nëse vazhdojnë me këtë dëshirë dhe impenjim do të arrijnë lart. Këto ndeshje si kjo me Tiranën, do t’i rrisnin më tepër. /KFTEUTA/

Share Now

About Author

Related Post

Leave us a reply