No image

Teuta kërkon vetëm fitoren në ndeshjen me Apoloninë që do të zhvillojë ditën e mërkurë në orën 17:00 në stadiumin “Niko Dovana”, ku pritet të ketë një prezencë tifozësh. 

“Djemtë e Detit” janë vetëm 3 km larg ëndrrës 27-vjeçare dhe presin të kurorëzohen kampion të Shqipërisë në xhiron e fundit të kampionatit.

Trajneri Edi Martini doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Apoloninë, ku foli për rëndësinë që duhet t’i japin këtij takimi, si dhe për deklaratën e kolegut të tij Tomas Brdariç.

TITULLI LUHET NË EPILOG – “Normale është ndeshja e fundit e kampionatit dhe ky sezon ka treguar që çdo ekip e ka provuar në disa momente vendin e parë për dy javë e më pas një tjetër, jemi të mobilizuar në maksimum që nga kjo ndeshje të shpallemi kampionë.”.

VLLAZNIA –LAÇI – “Unë mendoj që ne të bëjmë lojën tonë dhe të fitojmë ndeshjen. Normale që një sy dhe një vesh duhet të jetë në Shkodër, megjithëse unë mendoj që në këtë moment na ka ardhur fati në dorë në ndeshje të fundit. Djemtë e dinë sa e rëndësishme është, ekipi është i mobilizuar në maksimum dhe shpresojmë të bëjmë më të mirën.”.

DEKLARATA E BRDARIÇ – “Po është e vërtetë, ne kemi ndenjur dhe kemi pirë kafe së bashku, por këto janë biseda trajnerësh ku njëri kërkon të dekurajojë tjetrin, është një lojë shahu. Unë e kam thënë më bindje duke qenë se janë dy ekipe: Laçi dhe Apolonia. Laçi ka bërë një kampionat mjaft të mirë, ndërsa Apolonia ka treguar që me djem të rinj ka bërë jo vetëm një kampionat të mirë, por edhe lojë të mirë nga ana individuale e lojtarëve. Them se do ta kemi më të lehtë, por fusha do ta tregojë.”.

APOLONIA – “Është një ndeshje që ne duhet ta përgatisim për të gjitha skenarët, edhe për luajtjen e nervave, shpejtësinë e lojës dhe për arritjen te goli. Është një ndeshje që në letër duket e lehtë, por ne duhet t’i bëjmë hyzmetin dhe ta trajtomë si një ndeshje sikur po luajmë ndaj një ekipi që është për kampion, kështu që këtu neglizhenca nuk ekziston.”.

DEKLARATA E PRESIDENTIT KOKËDHIMA – “Është normale pasi deri më tani, Apolonia i ka bërë të gjitha ndeshjet ‘fair’, nuk i ka hapur rrugë askujt, madje i ka marrë pikë dhe ekipeve pretendente, kështu që s’kam asnjë koment”.

MUNGESA E ALEKSIT – “Kemi disa alternativa, por Karabeci dhe Avdyli, do jenë në balotazh për një fanellë titulluari.”.

TIFOZËT – “Unë nuk do ta doja vetëm nesër stadiumin plot, e doja gjatë gjithë sezonit plot. Futbolli luhet për tifozët, për t’u dhënë kënaqësi atyre, por nesër është një ditë e shënuar. Duhet të realizojmë objektivin që kemi pasur nga starti i sezonit dhe të gëzojmë së bashku me tifozët.”.

TITULLI – “Unë kam bindjen që lojtarët nesër do të jenë më të angazhuar se kurrë, normalisht jemi një hap përpara ekipeve të tjera, jemi shumë pranë titullit, por nesër mbetet për tu parë”. /KFTEUTA/

Share Now

About Author

Related Post

Leave us a reply