Sheriff Tiraspol do të jetë kundërshtari i Teutës në turin e parë të Champions League. Ndeshjen e pare “Djemtë e Detit” do ta luajnë në stadiumin “Niko Dovana” më 6 ose 7 korrik, ndërsa e kthimit një javë më pas në 13 ose 14 korrik.
Trajneri Edi Martini shpresonte të kishte si kundërshtar kampionët e Gjeorgjisë, Dinamo Tbilis, por goglat i rezervuan përballjen kundër moldavëve.
Edi, sa ju kënaq ky short dhe a mund të themi se Sherifi është i pranueshëm duke pasur parasysh rivalët e tjerë?
Normalisht, për të qenë i sinqertë, në grupin me katër skuadra të mundshme, ku përfshiheshin Ludogoretsi, Sherifi, Dinamo Tbilisi dhe Kairati, skuadra moldave ishte e dyta që unë preferoja të luanim.
Cilin klub kishit si preferencë të parë?
Dëshira ime ishte që të përballeshim me Dinamon e Tbilisit. Megjithatë, edhe kështu si ra shorti, duke parë edhe se me çfarë skuadrash të tjera mund të përballeshim, mund të them se jam deri diku i kënaqur.
Kishte një skuadër që do të donit ta shmangni patjetër?
Po, pikërisht bullgarët e Ludogorets. Janë një skuadër me shumë cilësi, por siç e thashë edhe më lart, jemi të kënaqur që do të luajmë ndaj Sherifit. /KFTEUTA/
Leave us a reply