Lorenco Vila shfaqet optimist në prag të prezantimit të Teutës në Champions League. Sulmuesi i krahut beson se pavarësisht kualitetit të Sheriff Tiraspol, Teuta do të avancojnë në turin e dytë të kompeticionit.
Lorenco, mbetët të kënaqur nga shorti për turin e parë të Ligës së Kampioneve?
Për hir të së vërtetës, do të isha më i kënaqur nëse luanim ndaj kampionëve të Malit të Zi, por shorti na përballi me Sherif Tiraspolin. Duhet të përgatitemi për më të mirën dhe të luajmë të gjitha shanset që kemi.
Sa e njihni rivalin dhe çfarë prisni nga dy përballjet me moldavët?
Në fakt, nuk kemi pasur shumë njohuri për rivalin. Natyrisht, është një nga ekipet elitare të Moldavisë, ku çdo sezon lufton për titull. Së fundmi Sherifin e kemi analizuar në ndeshjet që ka zhvilluar në kampionat, ku ka dominuar totalisht. Besoj se e kemi studiuar goxha mirë dhe mund të them se ka elementë cilësorë. E mbyllën kampionatin në vendin e parë me një diferencë të madhe pikësh.
Sa shanse ka Teuta që të kalojë turin e parë?
Shanset janë të barabarta, mendoj. Me aq sa e kemi studiuar kundërshtarin, nuk është se diferencat janë të mëdha. Këto janë ndeshje që do të vendosen nga detajet. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por unë besoj se me pak fat do ta kalojmë me sukses këtë tur.
Ndeshja e parë luhet në Durrës, më mirë për ju?
Kjo gjë mund të na favorizojë disi, por megjithatë nuk është shumë e rëndësishme, sepse në këto nivele s’ndikon faktori fushë. Prej disa ditësh jeni në Ohër. Si po shkojnë përgatitjet? Përgatitjet po shkojnë goxha mirë. Po marrim ngarkesat e duhura, duke kryer nga dy seanca stërvitore në ditë. Klima është shumë e mirë, gjithashtu ambienti në ekip na motivon të stërvitemi në maksimum.
A do të jetë në 100% të formës Teuta deri më 7 korrik?
Besoj se deri më 7 korrik do të jemi gati për ndeshjen me Sherifin. Skuadra ka marrë goxha ngarkesë, por që sigurisht intensiteti do të vijë duke u ulur me afrimin e ndeshjes. Unë mendoj se do të jemi plotësisht gati. Shpresojmë që të mos kemi dëmtime dhe në ndeshjen e parë të tregojmë vlerat e vërteta. Kam shumë besim se skuadra do të japë gjithçka në fushë për të bërë të mundur kalimin e një turi, duke përsëritur, pse jo, atë që ndodhi në edicionin e kaluar. /KFTEUTA/
Leave us a reply