Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu tregon emocionet e kualifikimit ndaj Inter D’Escaldes, vlerëson eurogolin e Plakut si dhe ka një mesazh për të gjithë skeptikët në lidhje me skuadrën e tij pas 90 minutave të para ndaj kampionëve të Andorrës gjatë intervistës për “Panorama Sport”.
President, si ishte kjo përmbysje historike?
Jam shumë i lumtur që ia dolëm. Jam shumë i gëzuar që e bëmë të mundur që Teuta për herë të parë të ketë këtë ecuri edhe në Europë. Për herë të parë do të luajmë në turin e tretë të një kompeticioni euriopian dhe tani do të shohim çfarë mund të ndodhë më tej.
Çfarë ju gëzon më shumë?
Fakti që u mbyllëm gojën atyre njerëzve që thoshin se Teuta nuk do që të ecë më shumë më tutje. Kjo më gëzon më shumë që ia dolëm dhe tani asnjë nuk ka çfarë të thotë.
Çfarë ndodhi, nga ndeshja e parë që Teuta ju zhgënjeu, vjen kjo paraqitje?
Bëmë gjithçka siç duhet. Për këtë, me anë të gazetës tuaj dua që t’i përgëzoj publikisht të gjithë çunat dhe ekipin. Dhanë gjithçka dhe bënë të mundur kualifikimin. I falënderoj për këtë.
Ndryshon menjëherë situata, një javë më parë i kritikuat publikisht…
Ky është futbolli. Në ndeshjen e parë humbëm, nuk shënuam dot nuk i bëmë gjërat siç duhet dhe unë i kritikova dhe u zhgënjeva shumë prej tyre. Por këtë javë, i kemi motivuar, kemi bërë gjithçka dhe skuadra ia doli.
Kur thoni motivim, përfshihet edhe premioja e majme prej 100 mijë eurosh?
Po, edhe ajo. Shpërblimi për ekipin për këtë kualifikim është 100 mijë euro. E merituar gjithçka. Bravo çunave për atë që treguan në fushë.
Cili ju gëzoi më së shumti, goli i tretë i Kallakut që vlen kualifikimin apo eurogoli i plakut për 0-2?
Në këtë ndeshje, të tre golat më gëzuan se ishin golat që na duheshin. Të tre me peshë specifike. Mirëpo, ai goli i dytë i Sebinos më gëzoi jashtë mase.
Pse?
Jo vetëm për realizimin që ishte një gol shumë i bukur. Por, më gëzoi edhe për faktin se kanë qenë shumë skeptikë për Sebinon që nuk do të mund të bënte gjë. Dhe ja si ndodhi. Më gëzuan shumë dy golat e tij.
A keni marrë informacione për skuadrën e turit të tretë?
Jo nuk jam interesuar shumë se si është Shamrok Rovers. Është momenti për të festuar një herë këtë kualifikim që kemi arritur. Pastaj do të ketë edhe kohë për ta studiuar kundërshtarin dhe për të përgatitur si duhet dy ndeshjet e këtij turi.
Sipas jush, sa shanse ka për kualifikimin?
Le të festojmë. Pastaj të shohim se çfarë ndodh.
A është shpagim kjo arritje historike dhe plotësim për gjithçka në karrierën tuaj me Teutën?
Jo nuk mund të them që është fundi me kaq, sepse futbolli ndërtohet me objektiva të vazhdueshëm, njëri pas tjetrit. Ne do të vazhdojmë me rinovimin, ndërtojmë të tjerë objektiva dhe synime për të arritur akoma më shumë. Shpagim po! Është një kënaqësi e jashtëzakonshme, e merituar gjithçka. Vërtet një kënaqësi e shumëfishtë. /KFTEUTA/
Leave us a reply