Trajneri i Teutës, Edi Martini, “qan” rastet e humbura nga skuadra e tij, sidomos gjatë pjesës së parë, pasi në të kundërt durrsakët mund ta kishin kaluar edhe këtë tur. Në prononcimin e tij për mediat pas ndeshjes, shkodrani i pankinës durrsake pranoi se u mungoi paksa edhe fati, ndaj nuk ia dolën dot të shkonin më tej.
Sipas tij, pavarësisht ecurisë në Europë, kishte besim se do ta kalonte edhe këtë tur, ndërkohë që pranoi se do të ketë disa ndryshime në skuadër me lojtarë të rinj që po punojnë për t’i afruar. Sa u përket zhgënjimeve, ai ka veç falënderime për atë që kanë bërë lojtarët dhe të gjithë si klub përgjatë këtij sezoni.
Eliminoheni nga Europa, çfarë nuk funksionoi sot?
Nuk dua të them nuk funksionoi. Në pjesën e parë luajtëm shumë mirë dhe patëm rastet tona. Këto janë ndeshje që i ndajnë episodet dhe pjesën e parë duhet të ishim më konkretë para portës që të shënonim. Atë që nuk e bëmë ne, e bëri kundërshtari, ky është fati i futbollit. Në pjesën e parë na mungoi fati, të dytën e filluam me egërsinë e së parës, por në momentin më të mirë tonin pësuam golin e dytë dhe takimi thuajse u mbyll. Është shumë e vështirë ta kthesh më pas, edhe emocionalisht, mentalisht dhe fizikisht në lojë.
Mendoni se ndikoi goli në ndeshjen e parë, edhe për të përgatitur sfidën e kthimit?
Jo, nuk është se ndikoi shumë. Edhe të ishte barazim atje do të luanim për ta fituar ndeshjen këtu. Prodhuam mjaft raste, por e thashë që rregulli i futbollit është që po nuk shënove, e pëson.
Mund të themi që Teuta e arriti objektivin e tureve në Europë apo prisnit më shumë?
Jo, realisht kishim besim se mund t’ia dilnim edhe sot (dje), pasi e patë që bëmë një ndeshje të mirë. Kisha shumë besim që do ta kthenim, megjithatë ky është futbolli, ndonjëherë të zhgënjen, ndonjëherë të ngre sipër dhe ndonjëherë të ul poshtë.
A është përfundimi i një cikli ky te Teuta?
Normalisht ekipi ka nevojë për ripërtëritje, ka nevojë për lojtarë të rinj dhe po punohet çdo ditë që të afrohen edhe lojtarë të tjerë, kështu që presim.
Keni ndonjë lojtar që ju zhgënjeu gjatë këtyre ndeshjeve?
Jo, nuk dua të them për asnjë. I falënderoj, pasi është e lodhshme, ku nuk kanë bërë asnjë ditë pushim që nga mbarimi i kampionatit. Gjithë kjo mund dhe sakrificë, kanë bërë një kampionat të jashtëzakonshëm, kanë dalë kampionë, kanë fituar Kupën, Superkupën dhe dua t’i përgëzoj për punën që kanë bërë. /KFTEUTA/
Leave us a reply