No image

Mbrojtësi brazilian, Jackson Ferrera, ka komentuar aventurën në Europë, ndërsa u ndal edhe në sezonin e ri që fillon në 12 shtator. Ai është optimist se Teuta do të jetë më konkurruese dhe e denjë për të shkuar drejt titullit kampion.

Ai shpreh keqardhjen për moskalimin në raundin “play off” në Konferencë Ligë, si dhe mundohet të japë një shpjegim për mosvazhdimin më tej në Europë të “djemve të detit”.

Gjithsesi, braziliani është optimist për të ardhmen, pasi te Teuta priten afrime të tjera, që shpreson të jenë të një niveli cilësor për të ndihmuar skuadrën në edicionin e ri, që nis fillimisht me Superkupën.

A mund të arrinit më shumë në këto ballafaqime europiane apo kaq ishin forcat e kësaj Teute?

Pavarësisht rezultatit, ne kemi zhvilluar ndeshje të mira ndaj Shamrok Rovers, si në Irlandë, edhe në Elbasan. Në ndeshjen e kthimit, mund të them se nuk kishim fatin me vete, pasi krijuam disa herë raste për të shënuar.

Ndieni keqardhje që nuk arritët ta kalonit në raundin “play off”?

Keqardhje normalisht që ka, por ne do të vazhdojmë e do të mësojmë edhe prej gabimeve, në mënyrë që vitin tjetër të përfaqësohemi më mirë në Europë.

Sipas jush, çfarë nuk shkoi te Teuta, që ndikoi në eliminimin?

Ekipi ka dhënë maksimumin, por edhe eksperienca bën punën e saj. Mund të them se kishte gabime të vogla, por në përgjithësi klubi dhe qyteti janë të kënaqur me arritjet e ekipit në sezonin që përfundoi.

Keni rinovuar kontratën me Teutën, çfarë ju bindi?

Po, e kam zgjatur kontratën me Teutën. Kam pasur oferta nga disa vende, madje edhe klube të tjera në brenda vendit, por jam këtu edhe për një vit dhe jam mësuar me skuadrën dhe qytetin. Ndihem sikur po luaj në qytetin tim dhe nuk doja ta ndryshoja atë.

A keni ndonjë peng nga aventura në Europë?

Ndeshjet në Europë ishin shumë të mira dhe interesante. Ne kishim mbështetje të madhe nga tifozët dhe ndeshjet ishin një spektakël në vete. I shijuam ato ndeshje. Gjithashtu, jam i kënaqur me paraqitjet e mia në tri turet e luajtura në Champions dhe Konferencë Ligës. Ndeshjet në Europë duan cilësi të madhe. Mendoj se ne kemi treguar cilësitë dhe aftësitë tona si ekip.

Si e pret Jackson Teutën e sezonit të ri?

Teutën e shikoj shumë më të fortë dhe një ekip që do të pretendojë të marrë çdo trofe, por gjithmonë duke qëndruar me këmbë në tokë dhe duke dhënë maksimumin në çdo ndeshje dhe çdo kompeticion. Shpresojmë që edhe afrimet e reja të jenë të një niveli cilësor. /KFTEUTA/

Share Now

About Author

Related Post

Leave us a reply