Teuta e sezonit 2022-2023 do të ketë pak lidhje me atë që mbylli kampionatin e fundit.
Nga skuadra është larguar një numër i madh futbollistësh dhe pritet të vijnë të rinj që premtojnë për të ardhmen.
Drejtuesit e kanë të qartë se fokusimi i tyre do të jetë elementi i ri premtues, që kërkon të afirmohet në Superiore dhe klubi mund të përfitojë në të ardhmen nga shitja e tyre.
Skuadra vjen nga një sezon i dështuar dhe grupi duhet ribërë, por natyrisht duke mbajtur një pjesë të titullarëve.
Do të qëndrojnë me “Djemtë e Detit”, Qirko mes shtyllave, Idrizajn, Jazxhiun, Qaqin dhe Kotobellin në mbrojtje, Emiliano Vilën dhe Ledio Beqjen në mesfushë, për të vazhduar me sulmin, aty ku Lorenco Vila dhe Rubin Hebaj pritet të mbajnë peshën kryesore.
Aktualisht janë 16 lojtarë nën kontratë me Teutën, duke marrë të mirëqenë këtu edhe mesfushorin shkodran, Uheid Hoxha, i cili ka arritur marrëveshjen me klubin dhe pritet të prezantohet zyrtarisht më 4 korrik.
Me mbylljen e sezonit 2021- 2022, nga Teuta nisën të largoheshin emra shumë të rëndësishëm.
I pari ishte sulmuesi Sebino Plaku, i cili tërhoq nga futbolli në moshën 37-vjeçare.
Më pas iku Albano Aleksi, Bllagoja Todorovski, Filip Ivanoviç, Reuben Akuah, Florent Avdyli, Ergys Peposhi, Klejdi Daci, Jahmir Hyka dhe Asion Daja.
Ndërsa braziliani Xhekson Ferreira është prej disa muajsh i dëmtuar dhe kontrata me klubin durrsak i ka përfunduar, kështu që edhe ai nuk është në plane.
Për Peposhin dhe Dacin që ishin në huazim, të dy u kthyen te Kukësi, ndërsa për Hykën dhe Dajën që u përfundoi kontrata, shanset që Teuta t’u ofroi rinovimin janë të pakta.
Leave us a reply