Teuta e nis edicionin e 84-t të Kategorisë Superiore në transfertë, ku të dielën do të jenë mysafirë të Laçit.
Praktikisht konsiderohet ndeshje e vështirë për durrsakët, por optimizmi te Teuta është maksimal për të marrë rezultat pozitiv në start.
Kapiteni i “djemve të detit, Emiliano Vila, në një intervistë për mediat ka uruar të gjithë “aktorët” e Superiores që ky sezon të jetë sa më i bukur dhe i luftuar.
Vila pohon se Teuta është gati për ta nisur mbarë kampionatin në transfertën e Laçit.
Emiliano, nis sezoni i ri në Superiore, keni një mesazh si kapiten i Teutës?
Uroj që ky sezon të jetë më i bukur dhe i luftuar duke u dëshiruar shumë suksese të gjithë aktorëve të fushës së lojës.
Luani në një fushë të vështirë si ajo e Laçit, si e parashikoni sfidën?
Mendoj se çdo transfertë është e vështirë në Superiore, pasi çdo ekip në fushën e vet kërkon fitoren. Teuta i ka mundësitë të bëjë mirë. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë mirë.
Sa e njihni Laçin, pasi ata kanë bërë shumë ndryshime gjatë verës?
Është vetëm java e parë. Të gjitha skuadrat kanë ndryshuar, ashtu edhe Laçi. Nga ekipi i Europës ka pasur lëvizje të shumta, edhe trajneri i tyre është i ri. Ndaj, të shohim se çfarë do të prodhojë fusha.
Ju kënaq një pikë apo do të synoni me çdo kusht fitoren në start?
Ne kërkojmë maksimumin, jemi të vetëdijshëm për vështirësinë, por një ekip që ka kërkesa për të arritur sukses, duhet të kalojë shumë vështirësi. Do të bëjmë të pamundurën për t’ia dalë në Laç.
Për Teutën, fusha e Laçit mund të konsiderohet si ters…
Këto janë statistika dhe asgjë më tepër. Mendoj se çdo vit ka ngjarje të ndryshme dhe interpretime të ndryshme. Kështu që ne do të kërkojmë të bëjmë ndryshe të dielën.
Leave us a reply