Teuta nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Kastriotit dhe sulmuesi Ildi Gruda u shpreh mjaft i zhgënjyer për rastet e humbura. Sulmuesi shkodrani theksoi se kjo ndeshje duhej fituar.
Megjithatë, ai beson se Teuta i ka mundësitë për të arritur synimet, duke filluar që nga ndeshja e nesërme e Kupës, ku i duhet të kualifikohet në Kukës, teksa në ndeshjen e parë fitoi 2-0.
Ildi, çfarë nuk shkoi ndaj Kastriotit?
Asgjë nuk shkoi siç duhet dhe si e kishim parashikuar. E nisëm ndeshjen me raste për gol, por nuk ia dolëm të shënonim. Është normale, që sidomos pas lënies së 2 pikëve krijohet një situatë e tillë. Dashur pa dashur skuadra kaloi në një ngërç, pasi nuk po arrinim të shënonim. Duhet ta hedhim pas krahëve këtë barazim dhe te fokusohemi te ndeshja radhës.
Edhe pse me një lojtar më shumë, në fund edhe mund të humbnit…
Më vjen keq që nuk finalizuam, pasi kishim mundësitë dhe shanset tona. Kur kërkon ta fitosh ndeshjen me patjetër, kundërshtari përfiton nga gabimet tona. Na vjen keq që nuk shënuam, pasi kjo është më e dhimbshme.
Çfarë prisni nga ndeshja me Kukësin të martën për Kupë?
Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, ku duhet të ruajmë avantazhin e fitores së parë. Kemi në dorë një rezultat të mirë dhe ekipi gëzon një gjendje shumë të mirë psikologjike. Jemi shumë të motivuar dhe do të japim maksimumin për siguruar biletën për në gjysmëfinale.
Pak ditë kohë për ta përgatitur këtë takim, sa ndikon në gjendjen tuaj fizike?
Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, por edhe shpirtin e garës për t’u paraqitur në fushë sa më mirë të jetë e mundur. Ne e dimë që kemi një kundërshtar të fortë si Kukësi, por jemi të përgatitur për ta përballuar në mënyrën e duhur. Do të jetë një ndeshje shumë e fortë.
Çfarë duhet të bëjë Teuta që të ruajë avantazhin e ndeshjes së parë për t’u kualifikuar?
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në çdo aspekt, pasi në futboll mjafton një rast për të ndëshkuar. Lëvizjet tona duhet të jenë të mirëmenduara dhe të mos lëmë shumë hapësira për kundërshtarin. Nëse arrijmë ta kontrollojmë lojën dhe shënojmë herët, do të ishte një plus shumë i madh për ne. Gjithashtu duhet të konkretizojmë rastet e krijuara dhe të jemi “blind” në mbrojtje.
Është kjo Teutë për Europë?
Nuk duhet të mendojmë as mbijetesën dhe as Europën. Fakti që luajmë mirë, na jep shpresa që e ardhmja do të jetë e mirë, por gjithmonë duke besuar te forca e grupit.
Leave us a reply