Pas Kastriotit, Teutën e pret një transfertë e vështirë në Kukës, skuadër me të cilën do të përballet sot në orën 13:00 për çerekfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë.
Kapiteni i Teutës, Emiliano Vila, është i bindur se skuadra e tij do të ketë një vazhdimësi të mirë dhe do të arrijë objektivin, si në Kupë ashtu edhe në kampionat.
Si është atmosfera në skuadër para ndeshjes me Kukësin?
Skuadra është gati për në Kukës. Po stërvitemi mirë dhe po bëjmë çmos t’ia dalim të kualifikohemi. Shanset janë të larta, nuk i druhemi askujt dhe mund të mundim çdo skuadër, pasi jemi një grup i mirë. Shkoni në Kukës më avantazhin e dy golave.
A është gati Teuta për të kaluar me tej?
Rezultati i fiksuar në sfidën e vajtjes në Durrës mendoj se na favorizon për të kaluar në gjysmëfinale. Do të luhen edhe 90 minuta, që janë vendimtare për të vendosur fatin e skuadrës, që do të kalojë më tej. Në përballjen e parë bëmë shumë mirë, gjithsesi ajo ndeshje tashmë është e kaluar. Ne kemi besim se do të bëjmë të njëjtën paraqitje të mirë si ajo në Durrës dhe do të kualifikohemi për në gjysmëfinale.
A do të jetë e vështirë përpos rezultatit të parë?
Sigurisht, pasi Kukësi ka një skuadër shumë të mirë dhe tejet të motivuar, që kërkon të fitojë gjithashtu trofe. Përtej gjithçkaje, unë mendoj se me forcën e grupit dhe atmosferën pozitive që kemi ne do ta kalojmë Kukësin dhe do të kalojmë në gjysmëfinale. Jemi në një moment të mirë, por çdo gjë të tillë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Jemi një ekipi i bashkuar dhe luajmë për njëri-tjetrin.
E mendoni një gol në Kukës?
Goli është ndjesi e bukur, por do të më pëlqente të merrnim rezultatin e duhur për kualifikim. Le ta shënoj kush të dojë. Por nëse e shënoj unë golin, me siguri do t’ua tregoj pas ndeshjes ndjesinë (qesh).
Leave us a reply