No image

Teuta luan sot në orën 13:00 një sfidë delikate ndaj Kastriotit në stadiumin e Kamzës, aty ku do të kërkojë të triumfojë për të synuar pse jo vendet që të japin një biletë europiane.

Trajneri Edi Martini nuk do të ketë të gatshëm për shkak kartonësh dy titullarë si Blerim Kotobelli dhe David Gjinollari. Mungesa e dy lojtarëve të krahut të majtë bën që në këtë pozicion në aspektin mbrojtës të jetë i gatshëm vetëm Aleksandër Kuro. Nga ana tjetër, rikthehet i gatshëm sulmuesi Ildi Gruda, i cili ka lënë pas problemet që ka pasur së fundmi.

“Barazimi na shërbeu shumë nga ana psikologjike për vazhdimësinë e rezultateve pozitive, për më tepër që zhvilluam një ndeshje të mirë. Për fat të keq nuk arritëm dot të fitonim, por do të shohim përpara, sepse kemi një kalendar të ngjeshur. Shpresoj që të vazhdojmë me këtë ritëm”, ka thënë Beqja, që më pas u ndal te Kastrioti.

“Do të shkojmë në Kamzë për të bërë një ndeshje të mirë dhe për të kërkuar pikët maksimale. E gjithë skuadra jemi të përgatitur për të marrë fitore dhe e dimë që është një ndeshje e rëndësishme. Duhet të jemi 100% të përqendruar”, shtoi mesfushori.

I pyetur se cili është çelësi i suksesit që kjo Teutë ka shumë harmoni brenda saj dhe nuk njeh humbje prej javësh, Beqja u shpreh:

“Ne jemi një ekip që kemi ecur përpara si grup. Nuk kemi një lojtar që na bën ta fitojmë ndeshjen, por kualitete në mbrojtje dhe sulm. Vlerat tona i dimë dhe shpresoj që sot t’i tregojmë më mirë. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur”, përfundoi 21- vjeçari, i cili ka fituar shumë siguri në sezonin e tij të dytë si titullar.

Beqja është grumbulluar rregullisht nga Kombëtaret e moshave dhe tashmë po fiton një eksperiencë të madhe si një lojtar stabël në Superiore. Me Martinin mesfushori i qendrës ka marrë shpesh edhe detyra sulmuese.

Share Now

About Author

Related Post

Leave us a reply