Fitorja me Kukësin u ka rritur moralin te Teuta, që të hedhin një hap drejt raundit gjysmëfinal të Kupës së Shqipërisë. Për sulmuesin e bluve, Lorenco Vila, skuadra tregoi shpirt gare dhe mori një fitore shumë të rëndësishme.
Lorenco, pas suksesit me Tiranën në kampionat, arritët një tjetër fitore ndaj Kukësit në Kupë, duke bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales…
Mbyllëm një javë të vështirë, por morëm dy fitore me shumë vlera kundër Tiranës dhe Kukësit. Këto fitore na japin shumë moral. Pozitive është që ekipi të ruajë vazhdimësinë. Kemi rrugë të gjatë përpara dhe nuk duhet të festojmë para kohe. Rëndësi ka të vijojmë me këto ritme.
A po rritet besimi në ekip nga ndeshja në ndeshje?
Edhe në ato ndeshje që nuk kemi fituar, Teuta ka bërë lojë cilësore, por që ka munguar efikasiteti. Ne tashmë duhet të jemi me këmbë në tokë, sepse kampionati është shumë i luftuar dhe duhet të futemi në çdo ndeshje me shumë seriozitet për të marrë atë që kërkojmë.
Në radhë është Vllaznia të hënën, sa shanse keni të përsërisni sukseset e fundit?
Skuadra ka punuar fort dhe është e gatshme moralisht e fizikisht për këtë përballje. Vllaznia ka ekip të fortë dhe kjo është një sfidë më e vështirë se ato që kemi kaluar, por do të bëjmë më të mirën duke u futur në fushë për rezultat pozitiv. Është një takim që ka rëndësi të madhe për ecurinë tonë në kampionat.
E shikoni deciziv për vazhdimësinë këtë takim?
Patjetër që është një ndeshje e tillë. Jemi të vetëdijshëm se kjo ndeshje ka vlerë të madhe për rrjedhën e mëtejshme të kampionatit. Ne si lojtar e dimë rëndësinë dhe jemi të bindur se do të vijojmë me fitore. Me këtë formë që kemi arritur, jemi të gjithë optimistë dhe shpresojmë që ndaj Vllaznisë të kemi edhe fatin me vete.
Keni një mesazh për tifozët?
Shpresoj se do të jenë në numër sa më të madh, sepse edhe tifozët e dinë se sa të rëndësishëm janë për ne. Ata janë një motivim ekstra për ne. Shpresoj se me lojë dhe me rezultate të mira, t’i shpërblejmë për përkrahjen që po na japin në çdo ndeshje.
Leave us a reply