Kur në lojë kanë mbetur edhe 9 pikë, Teuta ka vendosur fort njërën dorë te trofeu dhe shpreson ta ngrejë lart në qiellin e kaltër në fund të majit.
Pas një mungese prej afro tri dekadash, titulli duket më afër se kurrë dhe gjithçka varet nga “Djemtë e Detit”, që janë në “pole position” për të prekur të parët vijnë e finishit.
Me fitoren 2-1 ndaj Kastriotit në Kamëz dhe asistin nga Tirana që ndali Partizanin në derbi (0-0), bregdetarët do të luajnë për dy rezultate në finalen me “Demat e Kuq”, pasi janë +3 mbi ta.
Megjithatë nuk ka vend për eufori, sepse kalendari rezervon një tjetër ndeshje zjarri, me Laçin në transfertë dhe më pas në epilog të Superiores, në “Niko Dovana” vjen Apolonia, që zyrtarisht ka rënë një kategori më poshtë.
Pa pompozitet, modest dhe me përulësi, drejtuesit ndërtuan një skuadër kompetitive duke ia besuar “timonin” Edi Martinit, që një sezon më parë ktheu buzëqeshjen në Durrës duke sjellë Kupën dhe Superkupën.
Skuadra është e bazuar te forca e grupit, por gjatë sezonit të gjithë kanë qenë vendimtarë në momente të caktuara duke nisur nga Frashëri me pritjet e tij, për të vazhduar me sigurinë e Hoxhës dhe eksperiencën e Arapit në mbrojtje, grintën e Aleksit dhe shpirtin luftarak të Vilës e Avdylit në mesfushë.
Sigurisht nuk mund të lëmë pa përmendur dëshirën e Lorencos, klasin e Bregut apo goditjet kirurgjikale të Krasniqit.
Komplimenta meritojnë edhe pjesa tjetër, të cilët kanë pasur një meritë të madhe për këto paraqitje të Teutës, që gjithmonë kanë respektuar zgjedhjet e trajnerit dhe në asnjë moment nuk i kanë kundërshtuar ato. /KFTEUTA/
Leave us a reply