No image

Teuta e Durrësit ka arritur majën këtë mbrëmje maji të vitit 2021, duke bërë që e gjithë Shqipëria e më gjerë të flasë për heronjtë e detit që impresionuan dhe dominuan në futbollin kombëtar.

Pas 27 vitesh pritje të gjatë, Teuta shpallet kampione e Shqipërisë dhe përsërit suksesin e vitit të largët 1994. Festa në Laç ishte simptoma e duhur për një sukses historik më se të merituar.

Lojtarë, trajnerë dhe stafi shpërthyen në festë e lot për ecurinë e jashtëzakonshme të këtyre djemve që derdhën shumë djersë për të varur në gjoks medaljet e kampionëve të Shqipërisë.

Natyrisht ky sukses nuk ka qenë i lehtë, por një koordinim ideal i lojtarëve me eksperiencë dhe të rinj nga trajneri Edi Martini dhe në krye presidenti Edmond Hasanbelli, i cili me qetësinë dhe largpamësinë e tij bëri që të gërshetojë në mënyrën më të mirë të mundshme të gjtihë elementët.

Natyrisht kontribut në këtë sukses të madh ka edhe shefi i klubit Enid Furxhi, i vlerësuar për organizimin e mirë të punëve dhe frymën e krijuar në skuadër. Nuk mund të lëmë pa përmendur, mjekun, fizioterapistin dhe zyrtarë të tjerë të skuadrës si drejtues teknikë edhe zyra e shtypit.

Që të arrinte majën, Teuta kaloi monopate të vështitra, nëpër të gjitha stadiumet e vendit, por në çdo ndeshje bregdetarët treguan nivel të lartë fizik, taktik, teknik dhe mbi të gjitha grintë të jashtëzakonshme.

Mbrojtja ka qenë reparti më i mirë për Teutën që ka pësuar më pak gola se çdo ekip tjeter, vetëm 16 në 36 ndeshje, ndërsa ka shënuar 42 gola.

Skuadra është  bazuar te forca e grupit, por gjatë sezonit të gjithë kanë qenë vendimtarë në momente të caktuara duke nisur nga Frashëri me pritjet e tij, për të vazhduar me sigurinë e Hoxhës dhe eksperiencën e Arapit e Todorovskit në mbrojtje, shpejtësinë e Kuros, grintën e Aleksit dhe shpirtin luftarak të Vilës e Avdylit në mesfushë.

Pa harruar Dajën dhe Karabecin. Në sulm dëshirën e Lorencos, klasin e Bregut apo goditjet kirurgjikale të Krasniqit. Të rinjtë dhe rezervat kanë luajtur një rol të rëndësishëm, kur iu është kërkuar që të jenë në formacion.

Trajneri Edi Martini fiton titullin e parë si kampion i Shqipërisë.  Sezonin e shkuar po me Teuten fitoi Kupën dhe Superkupën, por edhe një kualifikim në Europa League duke eliminuar Beitar Jerusalem.

Kjo fitore merr akoma më shumë vlerë për Teutën, sepse ky triumf do të mbahet mend gjatë në futbollin pandemik. As dashuria e tifozëve nuk iu ka munguar “Djemve të Detit”, ata kanë ofruar mbështetjen e tyre nga larg… /KFTEUTA/

Share Now

About Author

Related Post

Leave us a reply